Sot u zhvillua seanca dëgjimore pranë Nënkomisionit “Për Diasporën dhe Migracionin” me pjesëmarrjen e zv. ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme, znj. Artemis Malo dhe Drejtoreshës Ekzekutive të Agjencisë Kombëtare të Diasporës, znj. Sonila Hysi, si dhe znj Diana Kastrati nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët.

Gjatë kësaj seance, u prezantua veprimtaria vjetore për vitin 2022 nga të dy institucionet përgjegjëse për diasporën. Znj. Hysi paraqiti një përmbledhje analitike, vizionin e qartë, prioritetet dhe metodologjinë e ndjekur nga Agjencia në përputhje me politikat e Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe objektivave strategjikë kombëtarë si dhe pritshmëritë për vitin 2023.

Baza e të gjitha institucioneve është Strategjia Kombëtare e Diasporës dhe Plani i Veprimit 2021-2025, e cila ka hyrë në fuqi më 1 janar të vitit 2021.
Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare për Diasporën, znj. Sonila Hysi në fjalën e saj gjithashtu theksoi se janë krijuar bashkëpunime dhe bashkëfinancime projektesh që do të kontribuojnë në mbarëvajtjen dhe forcimin e lidhjes me shqiptarët jashtë.

Raporti Vjetor është një përmbledhje e funksioneve dhe aktiviteteve institucionale të realizuara nga Agjencia dhe shërben për të informuar institucionet përkatëse rreth veprimtarisë dhe arritjeve të Agjencisë gjatë vitit 2022 si dhe prezantimi i parashikimit të zbatimit të aktiviteteve gjatë vitit 2023. Në përputhje me parimin e transparencës, raporti gjendet i publikuar në faqen zyrtare të Agjencisë.