Dhoma e Biznesit të Diasporës Shqiptare ka mbajtur Samitin e Tretë të Grave të Biznesit të Diasporës. Tema e këtij viti “Gruaja për Zhvillim të Qëndrueshëm” ka mbledhur më shumë se 100 gra sipërmarrëse të suksesshme shqiptare dhe në Diasporë.
Drejtoresha Ekzekutive e Agjencisë Kombëtare të Diasporës, Znj. Sonila Hysi në fjalën e saj prezantoi kontributin e dhënë nga Agjencia në forcimin e rolit të gruas në diasporë. Projekt-propozimet, të cilat synojnë dhe kanë prioritet fuqizimin e rolit të gruas në shoqëri, në biznes, në kulture, duke vendosur një theks të veçantë në promovimin e aftësive sipërmarrëse të grave në diasporë, krijimin e një klime favorizuese për rritjen e numrit të grave sipërmarrëse si dhe stimulimin e investimeve nga diaspora nëpërmjet ekosistemit të startup-eve, janë në fokus të veprimtarisë. Angazhimi institucional në rritjen e bashkëveprimit me shoqata, organizata, Unione të grave në diasporë, do të jetë i vazhdueshëm për arritjen e këtij qëllimi.