Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Diasporës, znj.Etleva Kondi, zhvilloi një takim pune në Kroaci me përfaqësuesit e shtetit kroat për Diasporën.

Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi për bashkëpunim insitucional për çështjet e Diasporës dhe mbështetjen e komunitetit shqiptar në Kroaci, në veçanti Arbëreshëve të Zarës, të cilët përbëjnë një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore.

Gjatë bashkëbisedimit znj. Kondi njohu homologët kroat me politikat shtetërore të hartuara për Diasporën, misionin e Agjencisë Kombëtare të Diasporës, projektet e realizuar nga ky institucion dhe bashkëpunimi me komunitet shqiptare në Diasporë për ruajtjen e identitetit kombëtar.

Në kuadër të bashkëpunimit institucional do të përfshihet mësimi i gjuhës dhe kulturës shqiptare dhe realizimi i një projekti pilot me mësues të gjuhës shqipe të cilët do të identifikojnë nevojat e duhura për t’u ardhur në ndihmë nxënësve të këtij komuniteti.

Në bazë të marrëveshjes së Agjencisë Kombëtare të Diasporës dhe Teatrit të Operas dhe Baletit do të përfshihet edhe organizimi i seminareve për mësimin e valleve dhe këngëve popullore shqiptare në Kroaci.

Përveç kësaj u diskutua edhe për projekte dhe mundësi të tjera bashkëpunimi mes dy vendeve.